Vjeshta turke

Edhe këtë vjeshtë me fillimin e sezonit të ri televiziv do të mungojnë serialet cilësore perëndimore. Përsëri kanalet tona, shumica e tyre është drejtuar kah Lindja duke sjell prodhime turke. Këtë vjeshtë më shumë se kurrë televizionet tona do të flasin turqisht.

E veçanta e këtij viti është që serialet që po përfundojnë, në fakt do të rikthehen dikur në pranverën e ardhshme pasi këto ditë fillojnë sezonet e reja në kanalet turke, shumicën e të cilave mund ti shihni nëpër operatorët tanë kabllor apo me anë të satelitëve, derisa fansat e përkushtuar besoj që deri tani kanë mësuar dy-tri fjalë turqisht dhe janë familjarizuar me temën e serialit sa që mund ta kuptojnë serialin edhe nga kanalet turke. Kuptohet ky do të ishte një disavantazh për kanalet tona, por nuk besoj që do të ndikoj në një masë kushedi sa të madhe.

Të nisim nga kanalet kombëtare. KTV në vend të Lales do të sjell ‘Dashuri dhe ndëshkim’ (Aşk ve ceza). Seriali është transmetuar edhe në kanalin shqip në Maqedoni, Alsat M. Pas Lales që për herë të parë në shqip vinte në kanalet tona në KTV, kësaj radhe ata kanë vendosur të sjellin diçka që veçse është transmetuar dhe është servuar për shikuesit tanë në mënyra të ndryshme. Titujt si ‘1001 net’ e ‘Ezel’ na bëjnë të qartë që transmetimet nëpër kanalet tjera në territoret tjera të ndara shqiptare nuk ndikojnë aspak në shikueshmëri të ultë. Prandaj, as ‘Dashuri dhe ndëshkim’ s’besoj që do të ‘lëndohet’ nga transmetimi në Alsat-M.

Tema e serialit mund të jetë tipike turke. Si zakonisht KTV nuk bazohet në sjelljen e yjeve, por vendos të sjell tituj të cilët mund të jenë shumë më të mirë. Nuk do njihni askënd, ose aty këtu ndonjë fytyrë me role episodike në serialet tjera turke. Pra, është një kast aktorësh i ri, dhe deri diku i lezetshëm. Ashtu siç ndodh në serialet turke episodi i parë, ose tek ne dy episodet e para shërbejnë për të treguar storien në një tempo të përshpejtuar. Ngjashëm do të ndodh edhe tek ‘Dashuri dhe ndëshkim’. Është një fërkim ndërmjet dy botëve të shoqërisë turke. Dy familje provojnë të pajtohen dhe të ndalin gjakmarrjen me martesën ndërmjet tyre. Bashkëshorti martohet me të motrën e vrasësit të dhëndrit të tij. Ajo nuk është e dashuruar në të dhe vlerëson veten si një lloj gjakmarrje në një mënyrë më të butë. Familja e burrit është e pasur dhe jeton në Stamboll me traditat e Anatolisë nga ku vjen nusja e cila kishte vendosur të bëhej mësuese – një profesion i shenjtë për këtë rajon të Turqisë. Ëndrrat e saj shuhen me ardhjen në Stamboll, derisa një aksident në familje vetëm disa ditë pas dasmës do të komplikoj situatën në atë masë sa që do të ju shtyj të ktheheni për episodin e tretë.

I martuari pos motrës të cilës i është vrarë burri dhe ka një djalë, ka lënë mbrapa edhe një vëlla tjetër, Savashin, që jeton në Evropë dhe larg zakoneve ‘primitive’, si dhe nënën. Nëna është fytyrë e njohur tek ne pasi rolin e saj e luan vjehrra e Sheherzades tek 1001 net, zonja Nadide.

Në anën tjetër Jaseminja është një eksperte marketingu në një firmë në Stamboll e cila përpiqet të ruaj zakonet turke në një ambient metropolitan, një premtim i dhënë babait të saj të vdekur. Një aksident i papritur e shtyn atë të bëj gjëra që kurrë nuk i kishte paramenduar. Fati do të kryqëzoj rrugët e Jasemines dhe Savashit qysh në episodin e parë, por gjërat nuk pritet të ecin lehtë për dy karakteret tuaja, e së shpejti edhe të preferuara në KTV.

Nuk dyshoj që do të ketë shikueshmëri të kënaqshme. Ngjashëm siç kanë krijuar bazë të fansave karakteret e Jeshimes, Toprakes, Çënarit dhe të Lales në episodet e para, ashtu do të ketë bazë të fansave Jaseminja, Savashi e Çiçekja.

Megjithatë ka me dhjetëra tituj aktual shumë më të mirë dhe më të shikuar se ‘Dashuri e ndëshkim’. E për më tepër nuk pritet të ketë episode të reja pasi seriali ka përfunduar para disa viteve.

Televizioni më aktiv në Shqipëri në sjelljen e serialeve turke do të jetë Klan TV.

Shikuesit kosovar janë të familjarizuar me ‘Jetë e hidhur’ dhe dashurinë e Mehmet Kosovës dhe Nermines, që ishte në fakt ‘dashuria e parë turke’ për shikuesit kosovar, përjashtuar filmat e Ibrahimit, Emrahit, e Ferdi Tajfurit të viteve të 90ta.

Tregimin për ‘Jetë e hidhur’(Aci Hayat) është i njohur, prandaj nuk do të ndalem shumë në këtë. Do të ketë shikueshmëri relativisht të mirë për shkak të kohës kur transmetohet, ora 17:15, por do të jetë zgjedhja e dytë në këtë kanal. Për mendimin tim do të jetë më i shikuar se ‘Shtëpiake të dëshpëruara’ (Umutsuz Evkadinlari).

Nuk pres shumë nga ‘Shtëpiaket…’. Ka disa arsye pse nuk besoj në suksesin e këtij seriali. Arsyeja kryesore është transmetimi i versionit origjinal amerikan në Top Channel për shumë vite. Shikuesit që kanë parë këtë serial janë të njohur me temën dhe e vetmja gjë që ndryshon janë aktoret dhe gjuha. Kasti nuk i afrohet kastit të ‘Desperate Housewives’ e gjithashtu storia është më pak e ‘zhvilluar’. Gjithashtu tema nuk është kushedi sa interesante, ngjashëm me atë që ka qenë tek versioni origjinal dhe rrjedhimisht nuk ofron adrenalinë në atë masë sa kanë ofruar serialet tjera turke si për shembull ‘Ezel’  e ‘Menekshe dhe Halili’ së fundmi dhe tani ‘Lugina e ujqërve’ në Vizion Plus. Storia shpesh di të bëhet e kotë, gjë që mund të mërzisë shikuesit.

Por, ngjashëm ka edhe disa arsye pse mund të ketë sukses, edhe pse jo të bëhet një serial që nuk ‘duhet’ të lëshohet pa shikuar. Songül Eren, apo siç e njohim ne – Gymyshi, rikthehet në ekranet tona. Në fakt ajo është arsyeja kryesore pse kanë vendosur të transmetojnë këtë serial në Klan TV. Por, roli i saj është shumë më i kufizuar se tek ‘Gymysh’ derisa karakteret tjera nuk kanë ndonjë afinitet me shikuesit shqiptar. Pra, ‘arma’ më e fortë dhe e vetme në këtë serial për të sjell shikueshmëri është Songül Eren. Rol interesant dhe të lezetshëm ka edhe e bija e saj e gjithashtu edhe Ceyda Düvenci që luan rolin e Lejlas dhe së fundmi është e njohur për shikuesit shqiptar me rolin e Benysë tek 1001 net.

‘Shtëpiaket…’ varësisht prej terminit të transmetimit mund të ketë sukses relativ, por jo më shumë se ‘Jetë e hidhur’ dhe ‘Veri Jug’.

Ngjashëm si për të dy serialet tjera, të cilat vijnë për bazën e fansave të Gymyshes (Songul Eren) dhe Mehmetit të dytë! (Kenan Imirzalioglu), ngjashëm do të vijë edhe ‘Veri Jug’ me Mehmetin e parë! (Kivanç Tatlitug).

Dhe jo pa arsye mendoj që ky do të jetë seriali më i suksesshëm këtë vit, së paku nëse nuk ndryshon skema programore në kanalet shqiptare. Storia është interesante, me adrenalinë dhe e aftë për të mbajtur shikuesin vazhdimisht para televizorit.

Kuzej dhe Gynej janë dy vëllezër, shokë të ngushtë me Xhemren. Ata janë bijtë e një furrtari, dhe janë të njohur për probleme në shkollë, kryesisht Kuzeji (Kivanç Tatlitug) për shkak të gjaknxehtësisë së tij. Shoqëria e tyre e ngushtë me Xhemren i shpie deri tek dashuria në të, që do të krijoj një armiqësi të ftohtë, së paku në episodet e para ndërmjet dy vëllezërve. Derisa Gynej është më i zoti në shkollë dhe më i prirë për të avancuar në jetë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kuzejin. Një aksident në shtëpi, që lëndon ndjenjat e Kuzejit në masë të dyfishtë i shpien deri tek një aksident tjetër që do të rezultojë me burgosjen disa vjeçare të Kuzejit. Tani është koha për Kuzejin të dal nga burgu dhe të vazhdoj jetën e tij të rregullt. Sfidat dhe peripecitë janë të paparashikueshme – një magnet për shikuesit.

Pos Mehmetit të parë (janë bërë disi si sulltanat e mijëvjeçarit të kaluar për shqiptarët), fytyrë e njohur për shikuesit është edhe roli i Bade Iscil (Shebnemes) që njihet si ndihmësja e Ezelit.

Ky serial ka të gjithë faktorët dhe përbërësit që e bëjnë të suksesshëm. Një fytyrë të dashur për shqiptarët, aktorë ndihmës të njohur, fytyra të reja dhe të lezetshme, storie me plotë adrenalinë dhe ngjarje të papritura. E vetmja gjë që i mungon është një orar i mirë, kuptohet në mbrëmje në ditë mirë të përzgjedhura.

Pra, në disa fjalë këto janë ato që mund të presim nga sezoni i ri sa u përket serialeve turke. Shikuesit do të vazhdojnë të shohin seriale turke edhe këtë sezon. Përzgjedhja është e mirë dhe e mençur, por transmetimi katër-pesë ditë në javë në prime-time të një seriali është diçka e lodhshme dhe e mërzitshme. Kjo është njëra ndër arsyet pse unë nuk përcjell me ëndje serialet turke kur transmetohen në televizionet tona.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Botuar në gazetën Zëri me 18 dhe 19 shtator 2012