Rezultatet zyrtare të sondazhit për televizionet kosovare

Si zakonisht edhe këtë vit uebfaqja dedikuar botës së televizionit, Telekomanda ka organizuar një sondazh për të dhënë një pasqyrë për atë se çfarë po shikohet në televizionet kosovare. Sado që është e thjeshtë, ky sondazh është edhe një parapërgatitje për renditjen e programeve më të mira në kanalet kosovare. Këtë vit renditja do të përfshijë  programet më të mira dhe do të publikohet gjatë pjesës së parë të muajit maj, në prag të mbylljes së sezonit televiziv.

Sondazhi është organizuar në uebfaqen tonë ku vizitorët kanë mundur të votojnë për programe të zgjedhura në kategori të ndryshme. Secila kategori ka pasur opsionin shtesë i cili nuk ka theksuar ndonjë program, dhe ky është vlerësuar si një mohim i shikuesve për të shikuar çdonjërin nga emisionet alternative. Pjesëmarrësit gjithashtu kanë ofruar mendimet dhe opsionet në fund të sondazhit duke shfaqur preferencat e tyre për gjithçka që ka munguar në këtë sondazh.

 

Kategoria e parë ka përfshirë shout argëtues që shfaqen në tri kanalet kombëtare. Në këtë kategori Oxygen ka dominuar tek shikuesit me gati gjysmën e votave të shikuesve. Edhe Milioneri ka pasur një pjesëmarrje prej pothuajse 35%. Shifra inkurajuese ka arritur edhe Fehi’s Show i cili vetëm për një vit shfaqjeje ka kaluar shifrën prej 15%. Rezultatet e sondazhit pohojnë faktin që RTK ka vepruar me mend kur ka anuluar emisionin Odeon i cili ka arritur vetëm 1.1%, duke mos arritur të marrë as 5 vota.

Kategoria duket se ka qenë e përshtatshme për votuesit, pasi asnjë nuk ka zgjedhur opsionin alternativ si përgjigje për ndonjë emision tjetër apo mospëlqimin e këtyre emisioneve.

 

Shout televiziv më të pëlqyer

Oxygen 49.45%

Milioneri 34.07%

Fehi’s Show 15.38%

Odeon 1.1%

 

 

Në kategorinë e serialeve vendore të cilat me largimin nga skema të tri serialeve fillestare në RTK, kanë mbetur të varfra në kanalet kombëtare, vazhdon të dominoj si zakonisht Kafeneja Jonë. Seriali epik kosovar ka arritur të marrë më shumë se ¾ e votave duke lënë mbrapa dy prodhimet e fundit të Kujtesës, Amkademiku dhe Kombinati. Këto dy seriale përkundër kohës së shkurtër të transmetimit para sondazhit duket se menjëherë kanë arritur të gjejnë audiencën e tyre.

 

Serialet vendore

Kafeneja Jonë  77.53%

Amkademiku   13.48%

Kombinati   7.87%

Qyteti pa lumë 1.12%

Lagjja e re  0%

 

 

Në këtë sondazh është vërejtur një numër i madh i shikuesve të Klan Kosova. Për shkak se është kanal kabllor dhe nuk ka shumë programe origjinale, vetëm programi i mëngjesit në këtë kanal, Ora 7 ka qenë i vendosur në sondazh. Ky program ka joshur rreth 35% të pjesëmarrëse, duke lënë mbrapa Një kafe me Labin me 19%. 2 Plus ka nisur me sukses emetimin në KTV duke u ofruar afër 14%, më lartë se Programi i mëngjesit në RTK dhe Matinee. Rezultate dëshpëruese ka pasur për dy programet e RTV21, Bon Bon dhe RelaX.

 

Talk-Show&Info

Ora 7   34.52%

Një kafe me Labin   19.05%

2 Plus    14.29%

Programi i mëngjesit   13.1%

Matinee    7.14%

Bon Bon    3.57%

RelaX   3.57%

Të tjera/nuk shikojnë 4.76%

 

 

Tek programet informative duket se kemi një fitues të pastër. Interaktiv shikohet nga pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në sondazh. Shifrat e emisionit me të cilin shkojnë në gjumë shumica e kosovarëve janë gjigante krahasuar me programet tjera informative. Lajmet e RTK-së kanë kaluar pak mbi 20%, duke u renditur vetëm mbi 3.6% mbi Lajmet e KTV-së. Ajo që nuk po funksionon tek lajmet duket të jetë Ditari i orës 18:30 në RTV21. Vlen të theksohet që shumica e votuesve që kanë zgjedhur opsionin alternativ në këtë kategori kanë përmendur Lajmet e orës 20 në Klan Kosova. Nga votat për opsionin alternativ, diku rreth 6% shkojnë për lajmet e mbrëmjes në Klan Kosova që e vendosin edhe më lartë se RTV21.

 

Programet informative

Interaktiv    48.28%

Lajmet (RTK)  22.99%

Lajmet  (KTV)   18.39%

Ditari (RTV21)  2.3%

Të tjera/nuk shikojnë 8.05%

 

 

E nëse diku RTV21 po ka sukses atëherë janë serialet turke. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga përfundimi, seriali Ezel vazhdon të mbetet i preferuari i kësaj kategorie tek kosovarët. Seriali Lale në KTV renditet i dyti, pak para serialit Sulltani. Magjia e 1001 net ka rënë dukshëm për shkak të përfundimit të hershëm sigurisht, por duhet kuptuar që ky serial ka ndihmuar në masë të madhe shikueshmërinë e serialit Sulltani. Ajo çfarë befason tek kjo kategori është një e pesta e votuesve të cilët deklarojnë që nuk shikojnë këto seriale. Pra, mesa duket jo krejt kosovarët janë të çmendur pas serialeve turke.

 

Seriale turke

Ezel   35.06%

Lale   20.78%

Sulltani   18.18%

1001 net   5.19%

Të tjera/nuk shikojnë  20.78%

 

 

Për dallim me kategoritë tjera, tek kategoria e programeve sportive, pjesëmarrësit në sondazh kanë pasur mundësinë të votojnë për 2 opsione. Kjo për shkak se kanë qenë të përfshira garat sportive të drejtpërdrejta dhe programet përmbledhëse sportive. Sporti Total duket të jetë dukshëm më i shikuar me çerekun e votave, e këtu sigurisht që përfshihet edhe shtrirja e këtij emisioni edhe në pjesën e fundit të Interaktiv. Megjithatë votat kanë qenë të ndara të Interaktiv dhe Sportit Total. Liga e Kampionëve mbetet gara e preferuar e kosovarëve me mbi 40% të votave. La Liga ka kaluar 15% derisa, Superliga e Kosovës ishte afër 6% pas 2me1 në RTV21.

 

Programe sportive

Liga e kampionëve     40.5%

Sporti Total      25.62%

La Liga      16.53%

2 me 1     6.61%

Superliga e Kosovës 5.79%

AS    1.65%

Të tjera/nuk shikojnë  3.31%

 

 

Kosovarët e kanë të qartë se kujt duhet ti besojnë tek programet informative e debutuese politike. Rubikon ka arritur të marrë shumicën e votave duke krijuar një epërsi të vogël ndaj Jeta në Kosovë. Këto dyja janë bindshëm më të shikuara në kategorinë e tyre, lart mbi Drejtësia në Kosovë dhe programet debutuese tjera në RTK dhe RTV21. Ka pasur vota edhe për Zona B, e cila përkthyer në përqindje do të arrinte diku rreth 2.5%.

 

Deate politike&Informative

Rubikon      36%

Jeta në Kosovë    33%

Drejtësia në Kosovë    10%

Target    7%

Debat   7%

Sy me sy   4%

Të tjera/nuk shikojnë  4%

 

 

E nëse diçka ka dalë mode duket të jenë telenovelat latine. Në fakt janë telenovelat e reja latine që nuk po gjejnë hapësirë në skemën e shikuesve. Asnjëra nga telenovelat e shfaqura së fundmi nuk ka arritur të kalojnë shifrën prej 15%. Afër çereku i votuesve janë deklaruar që nuk shohin këto telenovela. Mirëpo ajo çfarë befason është shikueshmëria për hitin klasik për adoleshentët, Rrebelët. Të posa kthyer në KTV, ky serial epik ka arritur të josh afër gjysmën e votuesve. Duket se thirrja ime e vazhdueshme për të rikthyer këtë serial po shpaguhet, së paku në bazë të këtyre rezultateve. A thua ]farë do të ndodhte sikur të kthehej edhe Allo, Allo?!

 

Telenovelat

Rrebelët   44.44%

100 vitrinat   13.89%

Beqarja   12.5%

Favoritja   5.56%

Të tjera/nuk shikojnë  23.61%

 

 

Dhe në fund është kategoria kryesore, kanali më i preferuar tek kosovarët. Në këtë ueb-sondazh të Telekomandas duket se RTK më nuk gëzon shikueshmërinë tek kosovarët. Ky kanal ka arritur të marrë diku mbi 30% të votave. RTV21 nuk ka kaluar 10%, derisa Klan Kosova e përmendur tek opsioni alternativ ka arritur mbi 10% të votave. E përsëris që Klan Kosova nuk është përfshirë në sondazh pasi është kanal kabllor, dhe sondazhi ka qenë i dedikuar për kanalet kombëtare kosovare kryesisht. E kanali më i shikuar duket të jetë, ashtu siç e quajnë veten, kanali më alternativ në Kosovë, KTV. Ky kanal ka mbledhur mbi 45% të votave duke u renditur bindshëm para RTK dhe RTV21.

 

Kanali i preferuar

Kohavision 45.98%

RTK   32.18%

RTV21 8.05%

Të tjera/nuk shikojnë  13.79% (10% Klan Kosova)

 

 

*Sondazhi është dedikuar të jap një pasqyrë bazë për disponimin e shikuesve kosovar. Komentimi i rezultateve është përgjegjësi e komentuesve. Telekomanda nuk ofron informata shtesë për pjesëmarrësit në sondazh si IP adresat të cilat do të tregonin regjionin, apo diçka të ngjashme, pasi është thyerje e privatësisë. Numri i pjesëmarrësve në sondazh ishte nën 1 mijë vota (920 vota).

 

Luan Morina

Kritik për TV&film

Themelues dhe kryeredaktor në Telekomanda.com

morinaluan@gmail.com

 

Share this post: